Por Flokarta nuk e dinte që kjo shtëpi banohej nga një familje prej tre arinjsh: baba ariu, nëna arushë dhe arushi i vogël, bebë. Në kuzhinë ndodhej një tryezë dhe pranë saj ishin tri karriga: e para ishte e madha, e dyta mesatare dhe e treta më e vockël.
Të tre arinjtë kishin shkuar për të bredhur dhe, para se të iknin, nënë arusha kishte bërë gati supën dhe e kishte hedhur në tre çanakë. Çanaku i parë ishte i madh, i dyti me madhësi mesatare dhe i treti fare i vogël dhe i bukur. Flokarta vështroi nga dritarja dhe, meqë kishte shumë uri, ushqimi që ishte hedhur nëpër çanakë iu duk joshës: ajo shtyu derën dhe hyri brenda.
- Sa mirë qenka! - tha ajo.
Dhe u ul në karrigën e madhe, por kjo ishte tepër e madhe për të. Provoi karrigën mesatare, por ajo nuk arrinte gjer në tryezë. Atëherë Flokarta u ul në karrigën e vogël, që i rrinte për bukuri. Mori çanakun dhe e përlau shpejt e shpejt supën e arushës së vogël. Kur e mbaroi, e ndjeu veten të lodhur. Dhe mendoi se do të ishte mirë të shtrihej. Hipi, pra, në shkallë dhe u fut në dhomën që kishte tre shtretër. I pari ishte i madh, i dyti mesatar dhe i treti një shtrat i bukur, fare i vogël. Ajo provoi në fillim të madhin, por ky ishte tepër i madh. U ngrit e provoi të dytin, por edhe ai, gjithashtu ishte tepër i madh. Atëherë u shtri në shtratin e vogël dhe fjeti me grushtet shtrënguar pranë fytyrës.
Arinjtë u kthyen shpejt. Meqë të bredhurit ua kishte shtuar oreksin, ata shkuan menjëherë për të ngrënë në tryezë.
- Dikush është ulur në karrigën time! - bërtiti baba ariu, me zërin e vet kumbues e të trashë.
- Dikush është ulur në karrigën time! - bërtiti nënë arusha, me trupin mesatar dhe zërin jo të fortë.
- Dikush është ulur në karrigën time! - bërtiti arusha e vogël me zë të hollë.
Pastaj ata hodhën sytë në çanakun e tyre.
- Dikush e ka provuar supën time! - bërtiti baba ariu.
- Dikush e ka provuar supën time! - bërtiti nënë arusha.
- Dikush e ka provuar supën time dhe e ka ngrënë atë! - bërtiti me të madhe edhe arushi i vogël me zërin e hollë.
- Cili mund të ketë qenë vallë? - bërtitën njëherësh të tre arinjtë.
Baba ariu vrapoi për te shtrati i vet.
- Dikush është shtrirë në shtratin tim! - briti përsëri ai.
Nënë arusha vrapoi te shtrati mesatar.
- Dikush është shtrirë në shtratin tim! - u dëgjua edhe zëri i saj jo fort i trashë.
Ndërkohë edhe arushi i vogël bërtiti me sa fuqi që kishte:
- Dikush është shtrirë në shtratin tim! Ah, ja tek është!
Po në atë kohë Flokarta u zgjua dhe i pa të tre arinjtë, që po e vështronin me inat. Ajo u llahtaris aq shumë sa kërceu nga shtrati, zbriti shkallët me shpejtësi sa nuk ia kishte marrë kurrë mendja dha shpëtoi, duke u futur në pyll. Të nesërmen Flokarta u takua me një druvar, i cili me sopatën në krah shkonte për të bërë dru dhe i tregoi atij ç’i kishte ndodhur. Meqë ai e njihte pyllin si në pëllëmbë të dorës, e përcolli vajzën gjer në fshat. Prindërit e pretën Flokartën me lotë gëzimi. Pas kësaj, vajza me flokë të artë u bë fëmijë i bindur dhe nuk u largua kurrë më vetëm nga shtëpia.
Bukuroshja Kler Bela dhe peshkatari plak
Kler - Bela ka një mik të dashur. Ai është plaku Olaf peshkatari.
Miqësia e tyre ka nisur kështu: një ditë Kler-Bela hodhi një grep në lumë për të zënë një peshk. Shumë shpejt zuri dy peshq të vegjël. Ishte tepër e lumtur dhe e ëma e lavdëroi. Në mbrëmje ajo hodhi tre grepa. Por në mëngjes nuk gjeti asnjë peshk.
Të nesërmen u ngrit dhe shkoi te lumi. U afrua buzë lumit dhe pa një njeri që ia vidhte peshqit. Kler-Bela nuk kishte frikë aspak. Ajo vrapoi pas vjedhësit dhe i tha:
- Ju më kini marrë peshkun tim!
Burri ngriti kokën dhe kur Kler-Belapa fytyrën e tij vuri re se ai ishte peshkatari që banonte në një shtëpi aty pranë.
- E di fare mirë që janë grepat tuaj, - i tha ai.
- Po përse, pra, m’i vidhni peshqit?
Burri e vështroi dhe i tha përsëri:
- Ti peshkon për t’u zbavitur dhe familja ime po vdes urie. Gruaja plakë dhe fëmijët e mi janë të sëmurë dhe unë nuk kam të holla për të blerë grepa.
Vajza e vogël u skuq dhe nuk iu përgjigj. Të nesërmen ajo shkoi te lumi. Në çdo grep gjeti nga një peshk. Ajo i vuri peshqit në bohçe dhe nuk shkoi për në shtëpinë e saj; shkoi te peshkatari.
- Ja peshqit, - thërriti ajo. - Ah! - ia bëri peshkatari plak. - Bukuri!
Ajo iu afrua burrit dhe e zbrazi bohçen para tij.
- Mbani ato që janë tuajat, - i tha ai. -Nuk dua të marr peshqit tuaj.
Por Kler-Belës nuk i bëhej për të ikur. Ajo i tha:
- Unë do të vij të të kërkoj çdo mëngjes; do të shkojmë bashkë për peshkim dhe kurdoherë do t’i ndajmë së bashku peshqit që do t’i zëmë.
Atëherë plaku buzëqeshi, ktheu sytë nga ajo dhe i tha:
- Mirë pra. Do të shkojmë së bashku për peshkim.
Qysh atëherë, peshkatari plak dhe çupa Kler-Bela, janë bërë miqë të ngushtë.